Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar pas deklarimeve të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, të cilat u konsideruan fyese ndaj nënkryetares së Kuvendit, Vlora Çitaku.
Një ditë më parë, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, Geci kishte përdorur gjuhë të cilësuar si seksiste ndaj Çitakut, duke i thënë: “I ke bë 100 vjet, ke mbetë pa martu. Gru e keqe”.
Këto deklarata kanë nxitur reagimin e deputetes Musliu, e cila ka dënuar ashpër gjuhën e përdorur ndaj koleges së saj.
“Sa herë më kanë ofenduar, më kanë paragjykuar, bullizuar e më kanë kërcënuar, asnjëherë nuk jam viktimizuar dhe nuk kam kërkuar mbështetje apo mbrojtje nga askush. Ama kam reaguar fuqishëm dhe me zë të lartë kundër tendencës që sharjet, fyerjet e kërcënimet të bëhen normë… Edhe sot e dënoj ashpër gjuhën që u përdor ndaj Nënkryetares së Kuvendit, Vlora Çitaku,” ka shkruar Musliu.
Ajo shtoi se reagimi i saj nuk lidhet me ndjeshmërinë personale të Çitakut, por me nevojën për të kundërshtuar normalizimin e gjuhës fyese ndaj grave në politikë.
“Ne nuk tërhiqemi, nuk frikësohemi dhe nuk ndalemi. Zëri ynë do të jetë gjithmonë më i fortë se çdo tentativë për ta shuar atë,” ka përfunduar ajo.




