Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) ka reaguar publikisht ndaj gjuhës së përdorur nga deputeti Fatos Geci në drejtim të deputetes Vlora Çitaku, duke e vlerësuar atë si të papranueshme dhe seksiste.
Sipas QIKA-s, një diskurs i tillë përfaqëson dhunë verbale ndaj grave në politikë dhe pasqyron, siç thuhet në reagim, një kulturë patriarkale ende të pranishme në hapësirën publike në Kosovë.
Organizata thekson se gratë politikane shpesh targetohen jo për qëndrimet apo punën e tyre, por për çështje që lidhen me jetën private apo stereotipe gjinore, me qëllim delegjitimimin e tyre.
Në reagim, QIKA ka kërkuar që subjekti politik i deputetit të distancohet qartë nga deklaratat e tilla, që vetë deputeti të mbajë përgjegjësi dhe të reflektojë, si dhe që Kuvendi i Kosovës të ndërmarrë masa për adresimin e gjuhës së papërshtatshme në debatet parlamentare.
QIKA ka ritheksuar angazhimin e saj për të kundërshtuar çdo formë të gjuhës seksiste dhe për të nxitur një diskurs publik më të barabartë dhe dinjitoz.




