Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka ngritur shqetësime në seancën e Kuvendit gjatë shqyrtimit të përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së, duke vënë në dyshim mënyrën se si është zhvilluar procesi.
Ajo ka deklaruar se procedurat nuk kanë qenë të rregullta dhe se intervistimi i kandidatëve është zhvilluar me probleme organizative dhe shkelje të standardeve të punës. Sipas saj, procesi ka qenë i ngarkuar, me orare të zgjatura dhe pa kushte të përshtatshme për një vlerësim dinjitoz të kandidatëve.
Musliu theksoi se mënyra si po merren vendimet në Kuvend po dëmton besueshmërinë e institucionit dhe rolin e deputetëve, duke i cilësuar disa prej tyre si të imponuara dhe jo të drejta.
Ajo kërkoi që të ndalet, siç u shpreh, ndërhyrja politike në institucione, keqpërdorimi i pozitave zyrtare dhe qasja e bazuar në shumicën e numrave pa respektuar procedurat dhe profesionalizmin.
Megjithatë, ajo bëri të ditur se PDK do të marrë pjesë në votim, por do t’i evidentojë të gjitha parregullsitë e hasura gjatë procesit, me qëllim që të mos përsëriten në të ardhmen.




