Kryeministri Albin Kurti, gjatë seancës së jashtëzakonshme ku po diskutohej për zgjedhjen e presidentit, tha se ka pasur gatishmëri për të arritur zgjidhje politike dhe për të gjetur kompromis mes partive.
Ai theksoi se marrëveshjet dhe kompromiset në demokraci janë normale, por sipas tij ato duhet të jenë demokratike dhe jo pazare për pozita apo figura politike.
Kurti shtoi se çdo kompromis i vërtetë duhet të bazohet në dy parime kryesore: respektimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe përgjegjësinë institucionale të përfaqësuesve të zgjedhur.
Sipas tij, rezultati zgjedhor duhet jo vetëm të pranohet, por edhe të respektohet, duke theksuar se kjo nuk nënkupton nënshtrim, siç është interpretuar nga opozita.
Ai kritikoi përdorimin e termit “nënshtrim” në diskursin politik, duke thënë se në të vërtetë nënshtrimi i vetëm është ndaj vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhje, i cili përcakton peshën politike të secilit subjekt.




