Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur konferencë për media lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, ku ka folur për qëndrimet e partive opozitare.
Kurti tha se Qeveria ka bërë disa propozime dhe ka ftuar në takime subjektet politike, por sipas tij nuk është arritur asnjë zgjidhje konkrete për situatën.
Ai u shpreh se opozita, përmes bojkotit të seancave plenare, po e bllokon punën institucionale dhe nuk po e respekton rezultatin zgjedhor të 28 dhjetorit, ku Lëvizja Vetëvendosje mori 51.1% të votave.
Kryeministri shtoi se përpjekjet për arritjen e një kandidati konsensual për president kanë dështuar, pasi, siç tha ai, nga PDK dhe LDK nuk janë ofruar propozime konkrete.
Sipas Kurtit, ai ka paraqitur edhe emra të mundshëm dhe ka kërkuar bashkëpunim për një listë kandidatësh të përbashkët, por ka marrë vetëm refuzime.
Ai gjithashtu theksoi se janë bërë përpjekje për debat parlamentar dhe takime të përbashkëta, por opozita nuk ka marrë pjesë, duke e cilësuar këtë si pengesë për funksionimin normal të institucioneve.




