Sekretari organizativ i PDK-së, Betim Gjoshi, ka reaguar lidhur me përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke kërkuar emërimin e anëtarit të dytë të partisë së tij në këtë institucion.
Në një postim në Facebook, ai ka bërë thirrje që ushtruesja e detyrës së Presidentit të nënshkruajë dekretin për emërim, duke theksuar se Kosova po hyn në proces zgjedhor dhe përfaqësimi në KQZ duhet të jetë i plotë.
Gjoshi ka deklaruar se mosemërimi i përfaqësuesit të PDK-së do të dëmtonte përfaqësimin opozitar dhe, sipas tij, mund të ndikonte në legjitimitetin e zgjedhjeve.
Ai ka shtuar se përbërja e KQZ-së duhet të reflektojë përfaqësimin e grupeve parlamentare dhe ka theksuar nevojën për zgjedhje të lira, të drejta dhe të pranueshme për të gjithë akterët politikë.




