Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në pritje të vendimit për caktimin zyrtar të datës së zgjedhjeve të parakohshme.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi zgjedhor do të organizohet brenda afateve të shkurtra kohore, duke kërkuar përshtatje të planit të aktiviteteve zgjedhore sipas rrethanave.
Sipas tij, ligji i jep KQZ-së të drejtën që të rishikojë dhe përshtatë afatet për realizimin e të gjitha fazave të procesit zgjedhor, në varësi të kohës në dispozicion.
Elezi ka theksuar se plani i aktiviteteve zgjedhore përfshin afatet për certifikimin e subjekteve politike, dorëzimin e listave të kandidatëve, fushatën zgjedhore, regjistrimin e votuesve brenda dhe jashtë vendit, si dhe akreditimin e vëzhguesve dhe mediave.
Sipas KQZ-së, të gjitha këto hapa janë thelbësorë për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor.




