Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë personave të dyshuar për një rast të dyshuar të mashtrimit me prona, falsifikim dokumentesh dhe vepra të tjera penale të lidhura me të.
Të dyshuarit G.H (rreth 60 vjeç), B.L (rreth 45 vjeç), F.U (rreth 54 vjeç), N.S (rreth 44 vjeç) dhe J.M (rreth 40 vjeç) – dyshohet se kanë bashkëpunuar në një skemë për përfitim të kundërligjshëm të pronave përmes dokumenteve të falsifikuara.
Sipas hetimeve, është përdorur identitet i rremë dhe dokumentacion i dyshuar i falsifikuar, përfshirë letërnjoftim, certifikatë lindjeje dhe certifikatë vdekjeje, me qëllim që një person të paraqitej si pronar i disa parcelave në një fshat të komunës së Ferizajt.
Në këtë mënyrë, janë siguruar certifikata pronësie për toka me sipërfaqe totale prej 56,411 metrash katrorë nga Zyra Kadastrale në Ferizaj.
Më pas, përmes një autorizimi të përpiluar në rrethana që po hetohen, pronat dyshohet se janë transferuar te persona të tjerë, ku një pjesë prej 20,458 m² është shitur bashkëshortes së njërit prej të dyshuarve, ndërsa 9,332 m² një personi tjetër, përmes kontratave të lidhura tek i njëjti noter.
Gjatë kontrolleve policore janë sekuestruar dokumente dhe prova materiale që lidhen me rastin.
Prokuroria ka bërë të ditur se noteri G. H dyshohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa të tjerët për “falsifikim dokumentesh”, “legalizim të përmbajtjes së rreme” dhe “blerje, pranim ose fshehje të pasurisë së përfituar me vepër penale”.
Të gjithë të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve dhe me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë. Hetimet për rastin po vazhdojnë./Sinjali/




