Ka dështuar të mbahet seanca e së enjtes në Gjykata Themelore në Prishtinë në rastin ku Skender Krasniqi akuzohet për vrasjen e F.Z., në gusht të vitit 2024 në Zllakuqan të Lipjanit.
Seanca nuk është zhvilluar për shkak të mungesës së dëshmitarit Dalip Krasniqi. Kryetari i trupit gjykues, Gent Beka, bëri të ditur se gjykata kishte lëshuar urdhëresë për sigurimin e pranisë së tij përmes Stacionit Policor në Lipjan, por nuk është pranuar asnjë njoftim zyrtar lidhur me moszbatimin e saj.
Ndërkaq, pala e dëmtuar, përmes Veton Zanit, ka deklaruar se sipas informacioneve të tyre, dëshmitari mungon për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Në seancë ishin të pranishëm prokurori Menduhi Kastrati, avokati i palës së dëmtuar Mahmut Halimi, të dëmtuarit Mejreme dhe Veton Zani, si dhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ilir Rama.
Në mungesë të kushteve ligjore për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor, seanca u shty për javët në vazhdim.
I akuzuari është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare më 15 korrik 2025. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ai dyshohet se më 7 gusht 2024, pas një mosmarrëveshjeje mes të miturve, ka marrë një thikë dhe ka goditur për vdekje viktimën.
Përveç veprës penale “vrasje e rëndë”, i akuzuari përballet edhe me akuzën për mbajtje të paautorizuar të armëve, pasi gjatë kontrollit i janë gjetur dhe sekuestruar disa thika.




