Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 09:55 në fshatin Meqë të Gjakovës, ku një punëtor ka humbur jetën pasi është goditur nga një kamion gjatë punës.
Lajmin e ka konfirmuar për Ekonomia Online zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.
Sipas saj, dyshohet se gjatë procesit të punës shoferi i një kamioni ka humbur kontrollin mbi mjetin, i cili ka rrëshqitur. Si pasojë, punëtori mashkull, i moshës madhore, i cili ndodhej pranë mjetit, ka mbetur i bllokuar nën të.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë e Policisë, zjarrfikësit dhe ekipi i ndihmës së shpejtë. Megjithatë, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.
Policia ka bërë të ditur se po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e sakta të këtij incidenti.




