Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar kompanitë e transportit detar se mund të përballen me sanksione nëse kryejnë pagesa ndaj Iranit për kalim të sigurt në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas Zyrës Amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC), çdo pagesë ndaj subjekteve qeveritare iraniane është e ndaluar për kompanitë dhe qytetarët amerikanë. Po ashtu, edhe kompanitë jo-amerikane mund të përfshihen në masa ndëshkuese nëse rezultojnë të përfshira në transaksione të tilla.
OFAC ka theksuar se sektori i transportit detar në rajon mbetet me rrezik të lartë sanksionesh, veçanërisht në rastet kur anijet ndalojnë në portet iraniane apo kryejnë pagesa të lidhura me autoritetet e atjeshme.
Ndërkohë, Irani ka vendosur kufizime në lëvizjen detare në Ngushticën e Hormuzit në kuadër të tensioneve të rritura në rajon, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara për veprime që i ka cilësuar si “pirateri detare”.
Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë detaje të reja për masa konkrete, por kanë paralajmëruar se monitorimi i aktivitetit të kompanive të transportit detar në rajon do të vazhdojë.




