Që nga lindja e deri në rritje, kujdesi për shëndetin e fëmijëve është prioritet për çdo prind. Një ndër pjesët më të ndjeshme të organizmit në këtë fazë janë sytë, të cilët mund të ndikohen nga faktorë të ndryshëm si ekranet elektronike, ndriçimi, por edhe ushqyerja.
Ekspertët theksojnë se zhvillimi i shikimit tek fëmijët kalon në disa etapa. Të porsalindurit shohin në distancë të kufizuar dhe dallojnë vetëm kontraste të thjeshta. Me kalimin e muajve, shikimi i tyre zgjerohet gradualisht, ndërsa rreth moshës 1 vjeç arrin zhvillim më të plotë. Maturimi i plotë i sistemit të shikimit zakonisht përfundon mes moshës 6 dhe 10 vjeç.
Ndër problemet më të shpeshta të syve tek fëmijët përfshihen shtrembërimi i syve, miopia, hipermetropia, glaukoma e lindur dhe katarakti i lindur. Për këtë arsye, kontrollet e rregullta te mjeku okulist janë shumë të rëndësishme.
Si të mbrohen sytë e fëmijëve sipas moshës:
0–4 muaj:
Duhet shmangur ndriçimi i fortë në dhomë. Krevati nuk duhet të jetë i ekspozuar direkt ndaj dritës së dritares. Pajisjet elektronike duhet të mbahen larg.
5–8 muaj:
Rekomandohet vendosja e lodrave të varura mbi krevat për stimulim të shikimit dhe koordinimit të lëvizjeve. Po ashtu, fëmijët duhet të kalojnë kohë në natyrë.
Ushqyerja për shikim të shëndetshëm:
Perimet me gjethe jeshile: të pasura me luteinë dhe zeaksantinë, ndihmojnë në mbrojtjen e syve.
Vezët: përmbajnë luteinë, zeaksantinë dhe zink, të rëndësishme për shëndetin e retinës.
Frutat agrume dhe frutat e pyllit: të pasura me vitaminë C, ndihmojnë në uljen e rrezikut të dëmtimit të shikimit.
Bajamet: burim i vitaminës E, e cila kontribuon në mbrojtjen e qelizave të syrit.
Ekspertët theksojnë se kombinimi i kujdesit të përditshëm, kontrollit mjekësor dhe ushqyerjes së shëndetshme është çelësi për ruajtjen e shikimit të mirë tek fëmijët.




