Pas konfirmimit të tetë rasteve me fruth, institucionet shëndetësore në Kosovë janë në gatishmëri të plotë dhe po monitorojnë nga afër situatën epidemiologjike.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të gjitha rastet janë te fëmijët e pavaksinuar me vaksinën kundër fruthit. Ekipet mobile janë angazhuar për identifikimin dhe vaksinimin e fëmijëve në zonat me mbulueshmëri më të ulët.
Fruthi konsiderohet një sëmundje shumë ngjitëse, rreth gjashtë herë më shumë se gripi, dhe mund të shkaktojë komplikime serioze në një në pesë raste. Simptomat përfshijnë temperaturë, kollë, rrjedhje të hundës, sy të skuqur dhe skuqje në trup.
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje për vaksinim sa më të shpejtë dhe shmangie të kontakteve me persona të dyshuar, duke theksuar se imunizimi mbetet mbrojtja më efektive kundër përhapjes së sëmundjes.




