Me nderime shtetërore dhe pjesëmarrje të gjerë, në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë iu dha lamtumira e fundit ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare.
Homazhet u mbajtën në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku familjarë, miq, politikanë dhe figura publike e kujtuan si akademik dhe politikan të urtë e vizionar. Kryeministri Edi Rama dhe personalitete të tjera vlerësuan kontributin e tij në politikën shqiptare dhe rolin në zgjidhjen e krizave politike.
Pëllumbi u cilësua si një nga figurat më të rëndësishme të së majtës shqiptare, i njohur për analizat dhe angazhimin e tij politik deri në fund të jetës.




