Kryeministri në detyrë dhe kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka akuzuar opozitën për bllokim të proceseve institucionale dhe veprim kundër interesave të vendit. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ai tha se kundërshtarët politikë synojnë “eliminimin politik” të tij dhe qeverisjes së LVV-së.
Kurti u shpreh se opozita ka kundërshtuar marrëveshje ndërkombëtare, buxhetin dhe rritjen e pensioneve, duke e quajtur këtë sjellje të motivuar nga “frika nga fitorja e LVV-së”.
Ai përmendi edhe, siç tha, bashkimin e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe kundër qeverisë, duke i akuzuar se po synojnë kthimin e interesave të vjetra politike dhe ekonomike.
Kurti theksoi se Kosova, sipas tij, është më e pranishme në arenën ndërkombëtare se më parë dhe se “izolimi i vetëm është nga korrupsioni dhe krimi i organizuar”, ndërsa shtoi se LVV do të vazhdojë përpara pavarësisht kundërshtimeve politike.




