Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin monitorues për punën e Legjislaturës së X-të të Kuvendi i Kosovës, duke ngritur kritika për mungesë transparence, shkelje procedurale dhe funksionim të dobët institucional.
Në konferencën e organizuar, hulumtuesi Naim Jakaj tha se procesi i formimit të Qeverisë është karakterizuar nga mungesa e informacionit dhe debatit publik, si dhe nga kufizimi i llogaridhënies parlamentare.
Sipas raportit, gjatë kësaj legjislature janë evidentuar përpjekje të shumta për shmangie të procedurave të rregullta, ndërsa disa projektligje janë proceduar me urgjencë pa arsyetim të qartë.
IKD gjithashtu kritikon moszbatimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar si problem serioz për sundimin e ligjit dhe të drejtat e zyrtarëve publikë.
Raporti thekson edhe mungesën e angazhimit të një pjese të deputetëve, si dhe dominimin e agjendës parlamentare nga shumica, me përdorim të shpeshtë të seancave të jashtëzakonshme.
Po ashtu, procesi i zgjedhjes së Presidentit është vlerësuar si problematik, me mungesë transparence, debat të kufizuar dhe shkelje të rregullave procedurale, duke ndikuar në besimin e publikut ndaj institucioneve.




