Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të përvojave profesionale në fushën e administrimit tatimor, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka pritur një delegacion nga Administrata Tatimore e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Takimi u zhvillua nën udhëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të ATK-së, Mentor Hyseni, dhe përfaqësuesve të institucioneve tatimore nga Bosnja dhe Hercegovina.
Gjatë vizitës u diskutua për kornizën ligjore të bashkëpunimit ndërkombëtar tatimor, menaxhimin e borxheve tatimore, si dhe proceset e digjitalizimit dhe zhvillimeve teknologjike në administratat tatimore.
Palët shkëmbyen përvoja institucionale me fokus në rritjen e efikasitetit, modernizimin e proceseve tatimore dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Vizita u vlerësua si e rëndësishme për thellimin e partneriteteve profesionale dhe identifikimin e praktikave më të mira në administrimin tatimor dhe transformimin digjital.




