Procesi i votimit me postë për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit po vazhdon me ritëm të shpejtë.
Sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, mbi 90 mijë nga rreth 105 mijë votues të regjistruar kanë pranuar tashmë pakot me fletëvotime, vetëm pak ditë pas nisjes së procesit.
Votimi me postë ka filluar më 21 maj dhe do të zgjasë deri më 6 qershor. KQZ ka bërë të ditur se çdo votues ka pranuar një pako që përmban fletëvotimin, udhëzuesin për votim, zarfin e fshehtësisë dhe zarfin kthyes për dërgimin e votës.
Institucioni zgjedhor u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që, pas plotësimit të fletëvotimit, ta dërgojnë atë me kohë, në mënyrë që zarfi të arrijë brenda afatit të përcaktuar.
Sipas statistikave zyrtare, në këtë proces janë regjistruar 132,212 votues jashtë Kosovës. Prej tyre, mbi 100 mijë do të votojnë me postë, ndërsa pjesa tjetër në kuti postare apo në përfaqësi diplomatike.
Lista e përgjithshme votuese për këto zgjedhje përfshin mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote.




