Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se mbështetjet e fundit financiare për qytetarët nuk kanë lidhje me fushatën zgjedhore, por me përballjen me rritjen e kostos së jetesës dhe inflacionin.
Ai tha se qeveria kishte planifikuar një pako të re ekonomike për inflacionin, por sipas tij kjo nuk u realizua për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.
Kurti përmendi edhe mbështetjet e mëhershme për kategori të ndryshme si fëmijët, nënat lehona, punëtorët, studentët dhe pensionistët, duke thënë se ato janë pjesë e politikave sociale të qeverisë.
Ai gjithashtu sqaroi edhe alokimin e fundit prej 2 milionë eurosh për nevoja sezonale, duke theksuar se masat janë në funksion të qytetarëve dhe jo të kalkulimeve politike.




