Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar në Klinë një sërë premtimesh elektorale që përfshijnë rritje të pagave dhe pensioneve, investime të mëdha infrastrukturore dhe masa për çmimin e energjisë elektrike.
Ai tha se LDK-ja synon të mbajë koeficientin 150 euro në sektorin publik dhe të rrisë pagat për mësimdhënësit, ndërsa premtoi pensione prej 300 eurosh për pensionistët.
Abdixhiku deklaroi se programi i LDK-së parasheh rreth 5 miliardë euro investime në infrastrukturë, përfshirë autostradën e Dukagjinit dhe projekte për furnizim me ujë të pijshëm në fshatra.
Sa i përket energjisë elektrike, ai u zotua se gjatë mandatit të LDK-së nuk do të ketë rritje të çmimit të rrymës, duke e quajtur këtë një “moratorium” për katër vitet e ardhshme.
Po ashtu, ai premtoi heqjen e TVSH-së për produktet bazike në javën e parë të qeverisjes, duke përfshirë bukën, miellin, vajin dhe sheqerin, me qëllim uljen e çmimeve për qytetarët.




