Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” është hapur ekspozita “Rezistenca në Kosovë 1980–1999 përmes Shtypit të Fshehtë”, e organizuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri”. Ekspozita prezanton materiale të shtypit të fshehtë që dëshmojnë përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe të drejta kombëtare gjatë kësaj periudhe.
Përmes gazetave, revistave dhe botimeve ilegale, ekspozita pasqyron rolin e shtypit të fshehtë në informimin e qytetarëve dhe ruajtjen e identitetit kombëtar nën represion. Organizatorët theksojnë se ajo synon ruajtjen e kujtesës historike dhe do të qëndrojë e hapur për vizitorët në Bibliotekën Kombëtare.





