Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se PDK po e rikonfirmon pozicionin e saj përfaqësues në skenën politike, pavarësisht, siç tha ajo, një gare të pabarabartë zgjedhore.
Në një konferencë për media, Çitaku tha se pushteti aktual ka shkaktuar zhgënjim të madh te qytetarët dhe se mospjesëmarrja e tyre në zgjedhje është një mesazh politik që duhet marrë seriozisht.
Ajo akuzoi qeverisjen për keqqeverisje dhe krizë të vazhdueshme, duke shtuar se PDK do të presë numërimin e plotë të votave para se të bëjë publik qëndrimet përfundimtare.
Çitaku falënderoi institucionet dhe qytetarët për pjesëmarrjen në procesin zgjedhor dhe bëri thirrje që çdo votë të numërohet me kujdes dhe integritet.




