Kandidatja për deputete nga LDK-ja, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas aksidentit fatal në autostradën “Ibrahim Rugova”, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për rastin.
Ajo tha se rreziku nga rrëshqitja e dheut në autostradë ishte i njohur dhe ishte paralajmëruar prej kohësh, por sipas saj nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga institucionet përgjegjëse.
“Sot u shua edhe një jetë nga aksidenti që u shkaktua nga dheu që kishte rrëshqitur në autostradën ‘Ibrahim Rugova’”, ka shkruar Bajrami.
Sipas saj, shteti është dashur të veprojë urgjentisht për eliminimin e rrezikut, duke shtuar se mungesa e reagimit ka pasur pasoja tragjike për qytetarët.
Bajrami theksoi se viktimat nuk janë vetëm statistika, por familje të cilave u është ndryshuar jeta përgjithmonë, ndërsa kërkoi që përgjegjësit të japin llogari dhe që kryeministri në detyrë të deklarohet sa më parë për rastin.





