Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim për gjendjen ekonomike në vend, duke theksuar se ekziston një hendek mes statistikave zyrtare dhe realitetit të qytetarëve dhe bizneseve.
Sipas AKB-së, ndërsa raportohen shifra të rritjes ekonomike, qytetarët po përballen me rritje çmimesh, ulje të fuqisë blerëse dhe vështirësi në përballimin e jetesës.
Organizata thekson se bizneset janë duke u përballur me kosto të larta të energjisë, pagave, lëndëve të para dhe transportit, gjë që po ndikon në konkurrueshmërinë e tyre dhe ngadalësimin e konsumit.
Në këtë kontekst, AKB ka kërkuar nga institucionet që të hartojnë politika konkrete për mbështetjen e prodhimit vendor, eksportit dhe uljen e kostove për bizneset.
Po ashtu, gjatë një takimi me afaristin Shiqeri Emrllahu, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka vlerësuar kontributin e tij në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe bashkëpunimin me organizatën.




