Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, njëherësh Koordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna me Bazë Gjinore, ka hapur takimin e parë ndërministror kundër dhunës.
Gërvalla tha se Kosova ka shënuar progres në forcimin e kornizës ligjore, politikave publike, koordinimit institucional dhe shërbimeve për viktimat, si dhe në rritjen e vetëdijesimit për këtë çështje.
Ajo veçoi miratimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe theksoi rëndësinë e funksionimit të institucioneve me profesionalizëm dhe përgjegjësi.
Sipas saj, luftimi i dhunës kërkon bashkëpunim ndërinstitucional dhe koordinim të vazhdueshëm, ndërsa me përfundimin e Strategjisë Kombëtare 2022–2026 duhet të fillojë planifikimi i prioriteteve të reja.
Në fund, Gërvalla theksoi se suksesi matet me sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e jetës së tyre, jo vetëm me strategji dhe mekanizma.





