Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka mirëpritur çdo tregues pozitiv të rritjes ekonomike në Kosovë, përfshirë deklarimet për rritje prej 5.43%, por ka theksuar se kjo shifër duhet të analizohet në raport me inflacionin dhe treguesit e tjerë ekonomikë.
Sipas AKB-së, rritja e inflacionit dhe kostove të jetesës mund të ketë ndikuar që përfitimi real i qytetarëve dhe bizneseve të jetë më i ulët se ai i paraqitur në shifra makroekonomike.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se bizneset vazhdojnë të përballen me kosto të larta operative, çmime të energjisë dhe mungesë të fuqisë punëtore, gjë që po e vështirëson zgjerimin e aktivitetit ekonomik.
AKB thekson se rritja ekonomike duhet të bazohet në prodhim, investime dhe eksport, e jo vetëm në konsum, remitanca dhe shpenzime publike.
Sipas saj, qytetarët e vlerësojnë ekonominë përmes fuqisë blerëse dhe mirëqenies reale, jo vetëm përmes statistikave.




