Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy të pandehurve për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrimi i ndikimit”, pas përfundimit të hetimeve dhe analizimit të provave.
Sipas aktakuzës, i pandehuri B.K., në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, gjatë viteve 2020–2021 ka tejkaluar kompetencat e tij duke mos respektuar procedurat ligjore të punësimit dhe duke nënshkruar 89 kontrata pune pa konkurs publik. Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë shkaktuar dëm prej mbi 114 mijë euro në buxhetin e ndërmarrjes.
Ndërkaq, i pandehuri N.Rr., në cilësinë e koordinatorit në të njëjtën kompani, dyshohet se ka kërkuar dhe ka marrë shuma parash nga disa persona në këmbim të premtimit për ndikim në punësime.
Prokuroria ka propozuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit pas shqyrtimit gjyqësor.




