Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale gjatë luftës, së bashku me zëvendëskryeministren Donika Gërvalla, ku është takuar me të mbijetuar dhe përfaqësues të organizatave që i mbështesin ata.
Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga organizatat “Medica Kosova”, “Medica Gjakova”, KRCT dhe Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, të cilat prej vitesh ofrojnë mbështetje ligjore, psikologjike dhe dokumentim për të mbijetuarit.
Haxhiu ka falënderuar organizatat për punën e tyre dhe ka theksuar nevojën për masa më të lehta dhe më dinjitoze për të mbijetuarit në proceset e njohjes dhe drejtësisë, përfshirë rishikimin e afateve, lehtësimin e procedurave dhe përmirësimin e qasjes në Komisionin e Verifikimit.




