Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar procesin e rinumërimit të 185 vendvotimeve, për të cilat ishte marrë vendim i veçantë, duke hapur rrugën drejt shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se rinumërimi është përmbyllur në orën 12:00 dhe se të dhënat janë përditësuar tashmë në platformën zyrtare të rezultateve.
Ai theksoi se me këtë hap është përmbyllur i gjithë procesi i numërimit dhe administrimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Sipas tij, KQZ-ja është teknikisht e gatshme për shpalljen e rezultateve përfundimtare, por fillimisht duhet të përfundojnë afatet ligjore për ankesa dhe të merret konfirmim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nëse ka raste në shqyrtim.
Po ashtu, pas përfundimit të procesit, do të përgatitet një raport i detajuar për secilin vendvotim të rinumëruar.




