Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin për Pasqyrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2025, ku ka dhënë opinion të pamodifikuar, por ka evidentuar disa mangësi në menaxhimin e kontratave, projekteve dhe evidencave financiare.
Sipas raportit, projekti “Renovimi i Kulmit të Institutit të Mjekësisë Ligjore” me vlerë mbi 814 mijë euro nuk është përfunduar brenda afateve të kontraktuara, ndërsa janë regjistruar edhe tejkalime në disa punime në vlerë prej rreth 31,748 eurosh.
Po ashtu, janë gjetur parregullsi në përdorimin e procedurës së negociuar pa publikim për furnizime higjienike në vlerë prej 119,497 eurosh, ku furnizimet nuk janë realizuar në kohë dhe nuk janë aplikuar masa ndëshkuese ndaj operatorit ekonomik.
Raporti thekson edhe probleme në evidencimin e detyrimeve kontingjente, si dhe pasaktësi në regjistrimin e pasurive, përfshirë nënvlerësim të aseteve kapitale për mbi 35 mijë euro. Gjithashtu, disa kontrata nuk janë shoqëruar me penalitete për vonesa, ndërsa në disa pozita në Institutin e Mjekësisë Ligjore vazhdohet të punohet me ushtrues detyre.
Sipas ZKA-së, Ministria e Drejtësisë ka shpenzuar rreth 82 për qind të buxhetit prej mbi 54 milionë eurosh gjatë vitit 2025 dhe janë dhënë gjithsej gjashtë rekomandime për përmirësimin e kontrollit të brendshëm dhe menaxhimit financiar.




