Ministria e Sportit dhe Rinisë ka organizuar “Takimin e Nivelit të Lartë për Koordinimin e Donatorëve” në fushën e rinisë, me pjesëmarrjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe donatorëve që mbështesin zhvillimin e të rinjve në Kosovë.
Në hapje të takimit, ministri Blerim Gashani theksoi rëndësinë e koordinimit institucional dhe bashkëpunimit me donatorët për adresimin e nevojave të të rinjve dhe orientimin më efektiv të investimeve në këtë sektor.
Sipas njoftimit, ky është takimi i parë i këtij lloji në fushën e rinisë në Kosovë, duke krijuar një platformë për diskutimin e prioriteteve dhe harmonizimin e mbështetjes për të rinjtë.
Gjatë takimit u prezantua gjendja aktuale e mbështetjes për rininë, sfidat me të cilat përballen të rinjtë, si dhe mundësitë e donatorëve dhe partnerëve zhvillimorë, me fokus në tri fusha kryesore: Rinia, Paqja dhe Siguria.
Takimi u vlerësua si hap drejt forcimit të koordinimit ndërmjet institucioneve dhe partnerëve, me qëllim shmangien e mbivendosjes së projekteve dhe adresimin më efektiv të nevojave të të rinjve në nivel qendror dhe lokal.




