Kleviol Ahmeti, i njohur si “Cllevio Serbiano”, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme (SPAK) në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut, ku ka folur për njohjet e tij me të pandehurin dhe për ngjarje të ndryshme nga e kaluara e tij.
Ahmeti deklaroi se me Laert Haxhiun njihet që nga fëmijëria në Lushnjë, por theksoi se prej vitesh nuk ka asnjë kontakt me të.
“Nuk kam asnjë lidhje me të pandehurit as familjarë, as miqësorë. Me Laert Haxhiun kam njohje, jemi rritur bashkë, por prej vitesh nuk jemi takuar dhe nuk kemi pasur asnjë kontakt,” u shpreh ai, duke shtuar se pas lirimit nga burgu në vitin 2020 nuk ka komunikuar më me të.
Një pjesë e madhe e deklaratës së tij u përqendrua te konflikti i njohur me reperin Noizy. Ai tregoi se përplasja mes tyre nisi përmes “diss-eve” muzikore dhe u përshkallëzua më pas në një incident fizik në Durrës.
“Shkova t’i kërkoja falje. Kur arrita te lokali në Currila, dolën rreth 12 persona dhe më sulmuan. Më goditën dhe pësova dëmtime në kokë dhe brinjë,” deklaroi Ahmeti, duke shtuar se ngjarja është dokumentuar edhe me pamje filmike.
Ai pretendoi se gjatë momentit të përplasjes u godit nga disa persona të pranishëm dhe se më pas ka marrë trajtim mjekësor.
“Nuk kam asnjë lidhje me atë ngjarje dhe nuk kam menduar për hakmarrje,” u shpreh ai, duke theksuar se marrëdhëniet me Noizyn mbeten të ngrira.




