Lideri i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka publikuar një video nga koha e luftës, ku shfaqet së bashku me heroin e kombit, Tahir Sinani.
Përmes një postimi, Limaj ka bërë thirrje që të mos cenohen, siç u shpreh ai, vlerat dhe figurat që përbëjnë themelet e lirisë së Kosovës dhe të kombit shqiptar.
“Mos prekni themelet e lirisë për interesa e përplasje ditore. Heroi i kombit, Tahir Sinani, i kthyer në frymëzim dhe simbol të qëndresës për çdo luftëtar të UÇK-së, është në themel të lirisë së kombit tonë. Ai e ka shkruar me gjak historinë e lavdishme të UÇK-së dhe emri i tij mbetet i paharruar në ndërgjegjen kombëtare”, ka shkruar Limaj.
Ai e ka përmbyllur mesazhin me homazhe për Sinanin dhe të gjithë të rënët për liri, duke thënë: “Lavdi Tahir Sinani dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!”.




