Forca e Sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me ekipin CMSE të Ushtrisë Amerikane dhe Komunën e Drenasit, ka organizuar Ushtrimin në Tavolinë (TTX) në Drenas, me qëllim testimin e koordinimit institucional dhe reagimit ndaj situatave emergjente.
Në ushtrim morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, të cilët zhvilluan një skenar simulues të përballjes me vërshime në territorin e Komunës së Drenasit.
Sipas FSK-së, gjatë aktivitetit u testuan mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional, proceset e vendimmarrjes, komunikimi dhe menaxhimi i burimeve në raste emergjente, ndërsa u prezantuan edhe praktikat më të mira në menaxhimin e krizave.
Ky ushtrim shërbeu për identifikimin e sfidave, rritjen e gatishmërisë institucionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve për reagim më të shpejtë dhe më efikas në situata krize.




