Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se pakoja e reformës në drejtësi po shkon drejt finalizimit institucional.
Sipas saj, në një takim me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Akademia e Drejtësisë, janë diskutuar dhe harmonizuar çështjet përfundimtare të pesë projektligjeve që lidhen me reformën në drejtësi.
Gërvalla tha se projektligjet po finalizohen në përputhje me standardet kushtetuese dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Ajo theksoi se reforma në drejtësi është një domosdoshmëri për forcimin e integritetit, llogaridhënies dhe besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.
Ministrja në detyrë shtoi se institucionet do të vazhdojnë bashkëpunimin për të avancuar reformat që forcojnë sundimin e ligjit në Kosovë.




