Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas ftesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, drejtuar partive opozitare për takim.
Përmes një reagimi në Facebook, Molliqaj u ka bërë thirrje partive opozitare që ta refuzojnë ftesën, ose sipas tij, të ndryshojnë emërtimin politik.
Ai ka kritikuar atë që e ka quajtur “opozitë formale”, duke thënë se ajo është e fokusuar në përfitime politike dhe jo në kundërshtimin e pushtetit.
“Kush nuk mëson nga gabimi bëhet ingranazh i sistemit. Pjesë e problemit. Kjo është historia e opozitës formale. Sot e kritikojnë që nesër ta takojnë. Thua ti që refuzimet janë kërkesë/lutje për ftesë. Apo edhe janë?”, ka shkruar Molliqaj.
Sipas tij, partitë opozitare do të duhej ta refuzonin pjesëmarrjen në takimet e ftuara nga Kurti.
“Në takimet që Kurti ftoi opozitën, ata do të duhej ta refuzonin pjesëmarrjen. Pa ekuivoke. Por opozita formale është aq e kapur pas përfitimit saqë nuk i përshtatet refuzimi. Kanë tjera plane, e ku njerëzit e këtij vendi nuk janë pjesë”, ka deklaruar Molliqaj.




