Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një takim politik.
“Sot kam marrë një letër ftesë për takim me kryetarin e LVV-së, z. Kurti, në formatin 1+1. Pra, këtë herë do të takohemi 2 me 2 dhe do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese”, deklaroi Abdixhiku.
Ai theksoi se kjo është hera e parë që ka pasur komunikim zyrtar me Kurtin pas zgjedhjeve.
“Do ta bëj publike për gjithë vendin që ky është komunikimi i parë që kemi pasur deri tani. Ky është komunikimi i parë zyrtar që kemi pasur pas përfundimit të zgjedhjeve”, u shpreh ai.
Abdixhiku vlerësoi se vendi nuk duhet të shkojë sërish në zgjedhje, duke theksuar se një skenar i tillë do të ishte i dëmshëm.
“Do të ishte çmenduri politike nëse Kosova sërish shkon në zgjedhje”, tha ai.
Kryetari i LDK-së bëri të ditur se partia do të dalë më vonë gjatë ditës me një komunikatë zyrtare lidhur me zhvillimet, pas mbledhjes së mbajtur sot.




