Debati për drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vazhduar pas rezultatit zgjedhor, me kërkesa për një Kuvend të jashtëzakonshëm të partisë.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Armend Zemaj, ka deklaruar se deri tani janë mbledhur më shumë se 150 nënshkrime për kërkesën për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm.
Zemaj ka thënë se dega së cilës i takon ka shprehur qëndrim unanim për nevojën e zgjedhjeve të parakohshme brenda partisë dhe për një analizë të thellë të procesit zgjedhor të qershorit.
“Unë i takoj një dege e cila ka dhënë mendim unanim që duhet të ketë zgjedhje të parakohshme dhe duhet të ketë reflektim mbi procesin zgjedhor të qershorit, në të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike, duke filluar nga kryetari edhe deri te anëtarët”, ka deklaruar Zemaj.
Ai ka bërë të ditur se e ka nënshkruar kërkesën për Kuvend të jashtëzakonshëm, duke shtuar se ajo është përkrahur nga mbi 150 anëtarë.
Megjithatë, Zemaj ka theksuar se në diskutime kanë qenë të pranishme edhe qëndrime tjera, përfshirë mbështetjen për vazhdimin e mandatit të kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ndërkohë, Abdixhiku ka deklaruar se deri tani në selinë e partisë nuk është dorëzuar asnjë kërkesë zyrtare për mbledhjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm.
“Në LDK nuk është deponuar asnjë nënshkrim deri më tani. Proceduralisht, janë të lirë një e treta e delegatëve të Kuvendit, kurdo që duan, që t’i deponojnë nënshkrimet për thirrje të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka insistuar se proceset partiake duhet të zhvillohen në përputhje me statutin dhe rregulloret e LDK-së, duke theksuar se zgjedhjet e rregullta brenda partisë janë të parapara për vitin e ardhshëm.
“Një parti serioze nuk matet me sa herë një pakicë deklaron mbajtje Kuvendi, por sa e respekton rregulloren dhe statutin”, ka deklaruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka shtuar se çdo kërkesë që plotëson kriteret procedurale do të trajtohet, ndërsa vendimet përfundimtare i takojnë Kuvendit të partisë.




