Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar pesë përfundime pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore, ku është diskutuar rezultati i zgjedhjeve të fundit, zhvillimet brenda partisë dhe situata politike në vend.
Në komunikatën e saj, LDK ka vlerësuar angazhimin e strukturave partiake, kandidatëve, aktivistëve dhe anëtarësisë gjatë procesit zgjedhor, duke theksuar se rezultati shënoi rritje, por nuk përmbushi objektivat e përcaktuara.
“Kryesia Qendrore vlerëson se rezultati zgjedhor, ndonëse shënon rritje të LDK-së, nuk përmbush synimet dhe pritjet tona politike”, thuhet në komunikatë.
Sipas Kryesisë, përgjegjësia për adresimin e mangësive dhe forcimin e mëtejshëm të partisë është e përbashkët për të gjitha nivelet drejtuese dhe organizative.
Në mbledhje është dhënë mbështetje për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për vazhdimin e udhëheqjes së proceseve politike dhe organizative, si dhe për përfshirjen në diskutimet me partitë parlamentare për formimin e institucioneve të reja.
LDK ka bërë të ditur se zgjedhjet e brendshme partiake do të mbahen sipas afateve të përcaktuara në statut, ndërsa çdo çështje do të trajtohet përmes mekanizmave demokratikë të partisë.
“LDK i ka institucionet, Statutin dhe mekanizmat e saj demokratikë. Çdo çështje duhet të trajtohet në respekt të plotë të institucioneve partiake dhe të vullnetit të lirë të anëtarësisë”, thuhet në komunikatë.
Në fund, LDK ka bërë thirrje për unitet brenda strukturave të saj, duke kërkuar që angazhimi të përqendrohet në forcimin e partisë dhe rikthimin e besimit të qytetarëve.
“Kosova ka nevojë për një LDK të bashkuar, të qëndrueshme dhe të përqendruar në ofrimin e alternativës së saj politike”, ka theksuar Kryesia e partisë.




