Rasti për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të vitit 2021 do të rikthehet në rigjykim. Gjykata Themelore në Pejë nuk ka shpallur aktgjykim ndaj Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajt, të akuzuar për këtë rast.
Pas përfundimit të seancës, avokati i familjes së të dëmtuarve, Arianit Koci, tha se vendimi për rigjykim është marrë pas administrimit të një prove të re gjatë procedurës.
“Kemi një zhvillim të ri, është administruar një provë e re, konkretisht një video dhe është marrë parasysh edhe fjala përfundimtare e prokurores”, deklaroi Koci, duke shtuar se familja e të dëmtuarve është e kënaqur me këtë vendim.
Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohen se sulmin e kryen për motive hakmarrjeje, me cak shoferin e autobusit Gani Gjokaj, ndërsa nga të shtënat mbetën të vrarë edhe dy nxënës 17-vjeçarë dhe u plagos një person tjetër.
Prokuroria pretendon se sulmi ishte planifikuar dhe realizuar në bashkëpunim nga tre të akuzuarit.




