Universiteti i Prishtinës, në bashkëpunim me Rotary Club Intercountry Committee Germany-Kosovo, ka organizuar Programin Veror të Shkëmbimit Kulturor, ku një nga aktivitetet iu kushtua ndotjes nga plastika dhe ndikimit të saj në planifikimin urban.
Prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik në UP, Rozafa Basha, tha se ndotja nga plastika nuk është vetëm çështje mjedisore, por lidhet edhe me mënyrën e menaxhimit të hapësirave publike dhe zhvillimit të qyteteve.
Ajo vlerësoi bashkëpunimin me Rotary Club, duke theksuar rëndësinë e krijimit të mundësive për të rinjtë që të shkëmbejnë ide dhe të punojnë për sfida të përbashkëta.
Nga ana tjetër, Eric McKilnay nga Rotary Club bëri të ditur se në punëtori kanë marrë pjesë 21 studentë nga vende të ndryshme të Evropës, të ndarë në grupe për të zhvilluar ide dhe prezantime rreth temës së ndotjes nga plastika.




