Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar pas nisjes së raundit të parë të dialogut strategjik mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Hoti ka thënë se Kosova, pavarësisht raporteve të saj të afërta me SHBA-në, e ka ende të pezulluar dialogun strategjik me Uashingtonin.
Sipas tij, Kosova po humb mundësi për avancimin e partneritetit strategjik dhe për forcimin e sigurisë energjetike, duke përmendur edhe projektet rajonale për furnizim me gaz amerikan.
“Kosova, si vendi më proamerikan në rajon dhe më gjerë, e ka të pezulluar dialogun strategjik me SHBA-në. Ndërkohë, fqinji verior nis raundin e parë të këtij dialogu”, ka shkruar Hoti.
Ai ka kritikuar gjithashtu vendimin e Kosovës për të mos u përfshirë në rrjetin rajonal të gazit, duke vlerësuar se kjo mund të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe në pavarësinë energjetike të vendit.
Hoti ka paralajmëruar se, sipas tij, vazhdimi i kësaj qasjeje mund ta lërë Kosovën më të izoluar në aspektin ekonomik dhe politik.




