Sot në orën 16:00 do të zhvillohet ceremonia e varrimit të zyrtarit të Policisë së Kosovës, Shaban Hajdari nga Prizreni, i cili u gjet pa shenja jete në zonën e Morinës, në Kukës.
Namazi i xhenazes do të falet në xhaminë e Dragomanit, ndërsa më pas do të zhvillohet ceremonia e varrimit.
Hajdari, 35-vjeçar, ishte pjesëtar i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Policinë e Kosovës. Vdekja e tij ka prekur familjen, kolegët dhe komunitetin ku ai jetonte e shërbente.
Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se vdekja ka ardhur nga një plagë e shkaktuar me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë, e dyshuar si arma zyrtare e shërbimit të policit.
Hetimet po vazhdojnë nga autoritetet kompetente të Shqipërisë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ndërsa familjarët, miqtë dhe kolegët sot do t’i japin lamtumirën e fundit Shaban Hajdarit.




