Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KI12/26, të parashtruar nga Yllka Buja-Bytyqi, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së një vendimi të Gjykatës së Apelit.
Gjykata, njëzëri, e ka shpallur kërkesën të pranueshme dhe ka konstatuar se ka pasur shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti lidhej me një kontest civil të një mësimdhënëseje ndaj Drejtorisë së Arsimit në Shtime, për kompensim të diferencës së pagës shtesë për gradim dhe karrierë.
Gjykata Themelore në Ferizaj kishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë dhe kishte obliguar DKA-në në Shtime që të kompensojë shumën prej 1,715.85 euro për një periudhë të caktuar, ndërsa pjesë të tjera të kërkesës i kishte refuzuar.
Parashtruesja e rastit kishte pretenduar se Gjykata e Apelit nuk e kishte shqyrtuar ankesën e saj në tërësi, duke cenuar të drejtën e saj për qasje në drejtësi.
Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se e drejta për gjykim të drejtë nuk nënkupton vetëm nisjen e një procedure gjyqësore, por edhe të drejtën për të marrë një vendim nga një gjykatë e pavarur dhe e themeluar sipas ligjit.




