Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka publikuar rekomandime për fermerët për trajtimin e pemëve frutore pas dëmtimeve të shkaktuara nga breshëri.
Sipas Ministrisë, prioritet pas breshërit është mbrojtja e plagëve në bimë, parandalimi i infeksioneve dhe ndihma në rikuperimin e pemëve.
Fermerët këshillohen që menjëherë pas dëmtimit të përdorin preparate me bazë bakri, si hidroksidi i bakrit, oksikloruri i bakrit dhe lëngu bordolez, për të ulur rrezikun nga sëmundjet bakteriale dhe kërpudhore.
Pas 2 deri në 5 ditësh rekomandohet përdorimi i biostimulantëve, si aminoacidet, ekstraktet e algave detare, acidet humike e fulvike dhe preparatet me bazë silici, për të ndihmuar bimën në rikuperim.
Ministria rekomandon gjithashtu ushqyerje plotësuese me kalcium, bor, azot në sasi të kontrolluara dhe kalium për forcimin e bimës dhe rritjen e rezistencës ndaj stresit.




