Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se vendimi për kandidatin për kryetar të Kuvendit i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekt politik që ka dalë fitues në zgjedhje.
Haxhiu bëri të ditur se emri i kandidatit pritet të bëhet publik deri në seancën konstituive të Kuvendit, e cila është caktuar të mbahet më 6 gusht.
Sipas saj, përgjegjësia për përzgjedhjen e kandidatit është e LVV-së, ndërsa procesi do të qartësohet në ditën e seancës ose edhe më herët.
Duke folur për takimet mes partive politike, Haxhiu tha se deri tani janë zhvilluar vetëm dy takime dhe shprehu shqetësim për pezullimin e tyre nga ana e LDK-së.
Ajo theksoi se afatet kushtetuese kërkojnë që palët të vazhdojnë diskutimet, pasi pas konstituimit të Kuvendit hapet edhe procedura për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Haxhiu kërkoi që takimet të jenë konkrete dhe të orientuara drejt arritjes së një marrëveshjeje, duke theksuar se për zgjedhjen e presidentit nevojitet mbështetja e dy të tretave të deputetëve.




