Qeveria në detyrë ka miratuar nismën për lidhjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare me Bashkimin Evropian për përfshirjen e Kosovës në zonën “EU Roam Like at Home”, duke hapur rrugën për heqjen e tarifave shtesë të roaming-ut mes Kosovës dhe vendeve të BE-së.
Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, tha se vendimi i miratuar i hap rrugë negociatave me Bashkimin Evropian për finalizimin e marrëveshjes.
Sipas tij, qytetarët e Kosovës që udhëtojnë në vendet e BE-së për punë, studime, turizëm apo vizita familjare do të mund të përdorin shërbimet e telefonisë mobile pa pagesa shtesë për roaming, njësoj si qytetarët e vendeve anëtare të BE-së.
Jagxhiu theksoi se marrëveshja do të sjellë përfitime edhe për bizneset kosovare dhe diasporën, duke ulur kostot e komunikimit dhe duke lehtësuar bashkëpunimin me tregun evropian.
Ai bëri të ditur se Kosova tashmë ka nisur përgatitjet për përmbushjen e kërkesave të Bashkimit Evropian në këtë fushë, ndërsa projektligji i ri për komunikimet elektronike, i harmonizuar me Kodin Evropian të Komunikimeve Elektronike, së shpejti do të dërgohet në konsultim publik.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria miratoi edhe kornizën për ndërtimin e kapaciteteve digjitale në administratën publike. Sipas Jagxhiut, kjo kornizë synon zhvillimin e aftësive digjitale të administratës dhe krijimin e një modeli të unifikuar për ofrimin më cilësor të shërbimeve publike.
Ai theksoi se transformimi digjital nuk duhet të shihet vetëm si investim në teknologji, por si një proces i ndryshimit institucional dhe profesional në administratën publike.




