Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas konfirmimit të gjetjes së një varri masiv të dyshuar në fshatin Kalludër të Zubin Potokut.
Haxhiu e ka cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm në procesin e zbardhjes së fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës.
Ajo ka vlerësuar punën e institucioneve të përfshira, përfshirë Policinë e Kosovës, Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prokurorinë dhe institucionet e tjera të sigurisë e drejtësisë.
Sipas saj, procesi do të mbështetet në të gjitha fazat, nga vlerësimi i lokacionit dhe zhvarrosja, deri te ekzaminimet mjeko-ligjore dhe identifikimi i mundshëm i viktimave.
Haxhiu ka theksuar se qëllimi kryesor është që familjet e personave të zhdukur të marrin përgjigje për fatin e të afërmve të tyre.




