Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në takim një delegacion nga Bangladeshi, të kryesuar nga ambasadori Md. Nazrul Islam dhe S.M. Mahbubul Alam, të shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Bangladesh, Lulzim Pllana.
Në takim është diskutuar për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe zgjerimin e bashkëpunimit në sektorët e industrisë farmaceutike, bioteknologjisë dhe teknologjisë informative.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar bashkëpunimit biznes me biznes, përfshirë mundësinë e investimeve të kompanive nga Bangladeshi dhe hapjen e linjave prodhuese në Kosovë.
Palët kanë diskutuar edhe për nisjen e procesit për një marrëveshje dypalëshe të tregtisë së lirë, me synim rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve mes dy vendeve.




