Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka njoftuar se grupi parlamentar i kësaj partie i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për vazhdimin e seancës më 16 gusht.
Ismaili tha se PDK-ja kërkon funksionalizimin e Kuvendit dhe respektimin e rendit kushtetues, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e mban vendin në krizë institucionale.
Sipas tij, moskonstituimi i Kuvendit po ndikon edhe në fusha të rëndësishme si shëndetësia, energjia dhe arsimi, ndërsa qytetarët po përballen me pasojat e kësaj situate.
Ai theksoi se deputetët e PDK-së kanë qenë të pranishëm në Kuvend dhe kanë kërkuar vazhdimin e seancës, ndërsa përsëriti thirrjen që seanca të mbahet të dielën, më 16 gusht.
“Duhet ta rikthejmë rendin kushtetues, ta thërrasim seancën dhe ta konstituojmë Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Ismaili.
PDK-ja ka kërkuar që të bëhet hapi i radhës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve.




